Intervistoi Fatime Kulli
![Margarita_Xhepa]()
Arti nuk vlerësohet dhe nuk investohet nga shteti shqiptar. Atë që s’e bën politika, duhet ta bëjnë artistët.
F.Kulli: Zonja Margaritë, jeni grua, nënë dhe artiste. Si e keni përballuar për të qenë një e vetme?
Margarita Xhepa: Jam një grua si të gjitha gratë shqiptare, me problemet e mbingarkesës që të afron jeta e përditshme. Pasi gruaja jonë është e ngarkuar,e lodhur, që harron veten e saj, për të plotësuar të gjitha kërkesat e familjes së saj. Sepse gruaja shqiptare është gruaja e sakrificës, padyshim është më e lodhura, më e vuajtura në familje dhe në shoqëri. Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për nga vetë profesioni im. Sepse të rritësh, të edukosh dhe të shkollosh tre fëmijë është një stërmundim. Por tashti jam e kënaqur, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë. Unë lumturohem, sepse nuk më shkoi mundi dhe sakrifica dëm. Dhe ko është dhurata më e madhe që i bëhet nënës,kur i sheh fëmijët e saj të rritur, të edukuar, të zotë në profesionet e tyre, duke qenë vetvetja e tyre.
Kurse si artiste, me keqardhje e deklaroj: Jam artiste vetëm në skenë, në shtëpi jam një skllave e mbërthyer me vështirësitë e jetës, të së përditshmes që përjetojnë në përgjithësi njerëzit e ndershëm të shoqërisë shqiptare dhe artistët në përgjithësi.
F.Kulli: Të ndalemi te arti. Si e përballoni ekzistencën e të ekzistuarit artiste?
Margarita Xhepa: Ashtu siç kam qenë e mbingarkuar në familje, po ashtu kam qenë shumë e mbingarkuar edhe në punë. Më aktivizojnë në shumë komedi,të huaja dhe shqiptare. Dhe kur spektatori më pret shumë ngrohtë me duartrokitjet e tij, unë rilind sërish. Gjithashtu, besimi i regjisorëve ndaj meje më rrit përgjegjësinë e përkushtimin, në dashurinë e madhe për profesionin tim si aktore,mundohem ta justifikoj veten me korrektësi. Sepse unë s’kam profesion tjetër, veç artit që më rriti, më formoi dhe më bëri të jem kjo që jam sot. Pasi arti ka kënaqësi të jashtëzakonshme që të ngjit në majë, dhe lum kush punon për t’i ngjitur këto maja. Duke u marrë me art gjatë gjithë jetës sime në skenë më ka bërë të njohur. Shumë njerëz në rrugë më respektojnë, më kërkojnë që unë të luaj në skenë, apo të xhiroj nëpër filma sërish. Dhe unë vazhdoj sërish të punoj, se më mbajnë gjallë përshëndetjet e tyre, mirënjohja e tyre dhe duartrokitjet e zjarrta, që si vullkan mposhtin hallet e problemet e mia, pasi edhe unë jam njeri i gjallë si ata.
F.Kulli: Përveç kënaqësisë dhe respektit që të jep skena, spektatori, a ta japin këtë kënaqësi apo vlerësim institucionet e kulturës të shtetit shqiptar? Dhe si vlerësohet artisti në Shqipëri?
Margarita Xhepa: Shteti na ka dhënë nga një dekoratë apo titull si artistë të merituar,por këto dekorata e fletë nderi kanë zënë myk në sirtarët tona. Shteti s’ka hyrë kurrë tek hallet e problemet tona! Të pyesin, si jetojmë ne? Sa shtëpi kemi ne? Sa pension kemi ne? Por kur kanë nevojë për autoritetin politik, na ftojnë për të ilustruar fasadën e personalitetit të pushtetit serioz. Sepse ata s’dinë mirë, që fytyra e vërtetë e një kombi është arti dhe kultura. Por kur artin nuk vlerësohet dhe investohet nga shteti, karriget e tyre do të digjen si kashtë e thatë. Sepse s’ka art. Sepse artistët tanë në Shqipëri janë kontingjenti më i persekutuar nga vetë shteti shqiptar, me rroga dhe pensione qesharake që s’na dalin as për kafetë që pimë në pushim të provave. Dhe kjo, është varfëria profesionale e një shteti të konsoliduar kurrë, që s’mendon jo vetëm për artistët, por edhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme të vendit të tij, si psh në shëndetësi, në arsim, duke i krijuar mundësinë e korrupsionit të llahtarshëm. Është shumë e dhimbshme, se këtu tek ne (si në asnjë vend të botës) ka artistë që nuk kanë shtëpi ku të futin kokën, kurse politikanët kanë nga 2-3 vila luksoze. Megjithatë, edhe pse, nè artistët mbijetojmë mbi xhunglat e padrejtësive, në nëpërkëmbjen e injorancës së shtetit të djeshëm dhe të sotëm, që na diskrediton me ndarje dhe fshirje personalitetesh, ne kemi punuar me pasion dhe kemi fisnikëruar portretin e artistit e të shoqërisë shqiptare. Gjithë jetën e shkrinë rininë e tyre me vetëmohim e sakrificë për të bërë art të vërtetë.
F.Kulli: Ju shohim shpesh nëpër aktivitete letrare, ku interpretoni. A ju paguajnë? Pasi edhe arti me reformimin e tij, duket se ka hyrë në rrugën e biznesit ose më troç, të tregut kapitalist.
Margarita Xhepa: Kurrë nuk e trajtoj artin e interpretimit, biznes (dhe Margarita ngrys vetullat). I kam në Shqipëri pash më pash. Kam respektuar çdo poet që më ka ftuar nëpër promovime librash, për t’ia lartësuar poezinë e tij. Jam munduar që artit t’i jap shpirt nga shpirti im. Dhe më kujtohet një takim letrar në qytezën e Ulzës (ku isha e ftuar nga kryetari i komunës, Simon Kaca). Ku nxënësit e shkollës së mesme dhe 8-vjeçare më kanë duartrokitur e respektuar aq shumë, sa që u mallëngjeva dhe s’kisha ç’t’u jepja. Në Ulëz ishte një vend shumë i varfër, sa që banorët atje diskutonin bukën e gojës. Kurrë s’jam ndjerë më e ligsht, kur një nxënës zhytet në liqen dhe zuri një peshk, për të ma dhuruar mua për respekt. Nuk do ta harroj kurrë atë moment emocionant. Dhe me të mbërritur në Tiranë, kërkova ndihmë në shoqata bamirëse si Kryqi i Kuq, për t’i ndihmuar ata fëmijë në Ulëz, me ato probleme sociale, që për shtetin shqiptar ndofta s’ekzistojnë fare. Kudo që ka shkelur këmba ime (nëpër shkollat e qytetit, në reparte ushtarake, në takime letrare) kam punuar falas. Biznesin në art le ta bëjnë menaxherët e shoqërive të ndryshme private artistike. Artistët e brezit tim, nuk mund ta bëjnë kurrë këtë turp. Të fitojmë para nga njerëzit e varfër. Po arti në Shqipëri kështu u katandis, përderisa emërohen në Ministri të Kulturës ministrat politikë, që i shkatërruan kultet e artit dhe të kulturës, në të gjithë vendin.
F. Kulli:Cila është thirrja e shpirtit të artistes Margarita Xhepa për kolegët e saj artistë në Shqipëri?
Margarita Xhepa: Të japin sa më shumë shfaqje e koncerte bamirëse. Atë që s’e bën politika, do ta bëjnë artistët.
F.Kulli: Margarita është “halla” tek “Rruga me pisha”, që transmeton Radio Tirana në bashkëpunim me BBC-në. A e gjeni veten në këtë rol?
Margarita Xhepa: Më ka mbushur boshllëqet e kësaj kohe të turbullt. Personazhi i “hallës”është një grua fisnike hallemadhe, që merr pjesë në të gjitha hallet dhe problemet e shoqërisë shqiptare, që për ne shqiptarët, s’paskan kurrë të sosur. Meraku im si aktore ka qenë gjithmonë për të gjetur të veçantën e këtyre grave, që brenda karakterit të “hallës”, të trajtoj shpirtin njerëzor, sa të urtë,sa human, aq edhe të mençur, për t’u gjetur pranë njerëzve, me ndihmën time modeste.
F.Kulli: Rolet që kini luajtur në skenë,a përkojnë me realitetin e hidhur që përjetojnë sot shqiptarët? Dhe si ndjehet Margarita para këtyre situatave?
Margarita Xhepa: Jemi në vitin 2002 dhe unë do të kthehem në retrospektivë,ku në vitin 1951 kam luajtur për herë të parë rolin e shërbyeses, në një dramë ruse “Makar Dubrov”. Kanë kaluar 51 vjet pas rolit, dhe realiteti shqiptar përjeton në çdo kohë drama dhe tragjedi të tilla. Shqipëria vazhdon të përjetojë, siç kanë shkruar Naimi, Mjeda, Fishta e Migjeni. Prandaj edhe spektatori ynë është shumë i ndjeshëm nga dhimbjet, nga dramat që luhen në kurriz të tij. Dhe kjo pa dyshim ka një arsye objektive, se shteti shqiptar është i dobët, i pafuqishëm para krimit. Më dhëmb shpirti për popullin tim që është i destinuar të vuaj gjithnjë mungesën e një shteti të fuqishëm ligjor, që të jetë në shërbim të qytetarëve të tij. (Margaritës i mbushen sytë me lot). Çdo ditë nëpër ekrane dëgjojmë lajme të tmerrshme,”këtu” u vra një njeri, “aty” u zhduk një familje. O Zot, çfarë nuk të dëgjon veshi, çfarë nuk na shohin sytë! O Zot! Ndihmoji shqiptarët e gjorë, se janë njerëz të mirë dhe nuk e meritojnë të vuajnë kështu gjithë jetën e tyre.
Faleminderit zonjës Margaritë, për intervistën dhe për emocionet që na imponoi nëpërmjet apelit njerëzor, të artistes së madhe të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, ku Zoti i dhuroi bukurinë fizike dhe skena i rrëmbeu talentin, për ta shndërruar në një yll të vërtetë të skenës dhe të filmit. Portreti fizik i Margarita Xhepës ngjason me artisten e madhe botërore, Merlin Monro, kurse fati i karrierës artistike, nuk i ngjason me asnjë artiste në botë. Pasi artistet e mëdha shqiptare,si znj.Xhepa, Tinka Kurti e ndonjë tjetër kanë luajtur 50 vjet në skenë dhe s’kanë fituar asgjë, por janë shfrytëzuar si skllave të persekutuara nga mospërkrahja e shtetit për të mbrojtur personalitetin financiar të heroinave të skenës shqiptare. Këto dy artiste të mëdha, meritojnë buste,që gratë shqiptare të krenohen me forcën artistike të gruas shqiptare, që sakrifikuan aq shumë për artin shqiptar. Dhe për kureshtje të lexuesit dhe të gjeneratave të reja, po jap disa nga rolet më të spikatura të luaneshës aktore, gjatë karrierës artistike:
1. “Makar Dubrov” – 1951 (dramë në teatër);
2. “Zëri i Amerikës” – 1952 (Teatri Popullor, dramë);
3.1952-1957 (aktore në estradën profesioniste të Tiranës), ku ka luajtur mbi 100 role, si aktore, recituese dhe konferenciere.
4. “Majlinda”-1957 (dramë në Teatrin Kombëtar);
5. “Në anën tjetër”-1958 (dramë);
6. “Mashenka”-1957(dramë ruse,në rolin kryesor);
7. “Trimi i mirë me shokë shumë”-1959 (Historia e Skënderbeut);
8. “Tragjedia “Hamleti” nga Shekspiri, 1960;
9. “Mbreti Ilir”- Shekspir;
10. “Romeo e Zhulieta”- Shekspir;
11. “Orfeu në ferr”-Shekspir;
12. “Vizita e inspektorit”-Gjon Pitlicit;
13. “Mbreti”- Arturo Ui;
14. “Xhaxha Vanja”;
15. “Helenën” – Çehov;
16. “Qeni i kopshtarit”.- Lopez de Vega;
17. “Macela”-Artur Miler (gjithnjë në rolet kryesore, ku luan rolin e gruas);
18. “Cuca e maleve”;
19.”Lumi i vdekur”;
20. “Kush e solli Doruntinën”;
21.”Përballë vetes”, etj.etj.
Nëse do të vazhdoja në rolet që ka interpretuar bukuroshja e skenës Margarita Xhepa, duhet të kapërcej 150 male e dete, sepse rolet që ka luajtur Margarita janë mbi 150 role kryesore në teatër. Aktorja sakrifikoi denjësisht në artin magjik të filmit, ku ka luajtur mbi 64 role kryesore në filmat shqiptarë.
Midis tyre do të veçoja:
1.”Vitet e para”-viti 1964.
2. “Dimri i fundit”;
3. “Tokë e përgjakur”;
4. “Koncert në vitin 1936”;
5. “Vitet e pritjes”8Kurbeti);
6. “Dora e ngrohtë”;
7. “Apasionata”;
8.”Vasil Shanto”;
9. “Dollia e dasmës sime”;
10. “Pranvera s’erdhi vetëm”;
11. “Gurët e shtëpisë sime”;
12. “Gabimi im”, etj, etj.
Një sukses i madh i aktores M.Xhepa ka qenë pjesëmarrja në filmin grek “Mirupafshim”, me regjisor Jorgo Koras dhe Kristo Vukuras, Margarita luajti rolin e nënës me aktorin më të kërkuar grek, Aqis Sakelariu, dhe në të gjitha faqet e para të shtypit grek shkëlqente portreti i aktores shqiptare M.Xhepa. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ai rol i gruas i përshtatej thellë në ind dhimbjes amësore të fatit tragjik të shqiptarëve, që lënë shtëpitë e familjet e tyre për një copë bukë. Dhe nuk i dihet fatit të tyre, kthehen gjallë apo të vdekur. Një tjetër sukses i Margarita Xhepës, ishte pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar të Athinës me “Elektra” e Sofokliut në rolin e dados, me regjisorin e njohur grek, Dhimitër Mavriqo.
Kjo pra, është karriera artistike e Margarita Xhepës. Gruaja që theu tabutë në një moshë fare të re dhe u ngjit në skenën shqiptare për t’u bërë mit i bukurisë dhe profesionit aktoresk. Dhe ia arriti qëllimit të saj fisnik e profesional, ku dha shumë nga jeta e saj e derdhi të gjithë mirësinë e shpirtit të gruas dhe të nënës shqiptare.
Po çfarë mori si shpërblim nga shteti shqiptar dje dhe sot? Asgjë, veçse dashurisë dhe mirënjohjen nga njerëzit e thjeshtë artdashës,që përulen me respekt kudo që e shohin në rrugë këtë drenushë të pavdekshme të artit skenik shqiptar.